Dejan Vuksiq dhe Dritan Abazoviq - Foto: Qeveria malazeze

Hetimet e Shërbimit të Sigurimit të Malit të Zi kanë asgjësuar dokumente mbi spiunimin e paligjshëm

Shefi i ri i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi, ANB, Dejan Vuksiq, ka akuzuar disa nga zyrtarët e Agjencisë për asgjësimin e dokumenteve konfidenciale mbi përgjimin dhe mbikëqyrjen e paligjshme – dhe të mërkurën tha që ANB kishte filluar një hetim të brendshëm.

“Ka prova … se një pjesë e dokumentacionit ishte asgjësuar – dosjet për mbledhjen e të dhënave sekrete të bëra pa një vendim të mëhershëm në përputhje me ligjin,” i tha Vuksiq së përditshmes Vijesti.

Mediat kanë bërë të ditur se zyrtarët e ANB po asgjësonin dokumentacionin e rëndësishëm në lidhje me aktivitetet e paligjshme dhe të paautorizuara të spiunimit më 19 janar.

Sipas ligjit, mbikëqyrja dhe përgjimi janë të mundshme vetëm me urdhër të shefit të ANB ose Prokurorit të Shtetit. I njëjti ligj thotë se dokumentet në mbikëqyrje mund të asgjësohen gjithashtu vetëm me urdhër të shefit të Agjencisë ose Prokurorit të Shtetit.

“Jemi duke mbledhur informacione dhe prova në lidhje me këtë rast si dhe mbi paligjshmëritë e tjera që ndërlidhen me punën e disa zyrtarëve të Agjencisë. Ekziston një dyshim i bazuar se veprimet e tyre kanë shkelur rëndë kushtetutën”, tha Vuksiq.

Kohëve të fundit Mali i Zi ishte dëshmitar i një ndryshimi të befasishëm të regjimit, duke i dhënë fund sundimit disa dekadësh të Partisë Demokratike të Socialistëve, DPS.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, tri blloqe opozitare fituan një shumicë të ngushtë prej 41 nga 81 ulëset në parlament malazez, duke e lënë jashtë Qeverisë DPS-në.

Me 17 dhjetor, qeveria e re shkarkoi shefin e mëparshëm të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Dejan Peruniciqin, i cili ishte një person i afërt me ish-regjimin.

Të njëjtën ditë, Vuksiq, avokat dhe një zyrtar i koalicionit pro-serb “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, u zgjodh shef i ri i kësaj Agjencie. Qeveria e re ka shpallur një konkurs për të plotësuar pozitën e shefit të ri të Agjencisë në muajin shkurt.

Agjencia është përballur me shumë polemika gjatë tri dekadave të fundit. Disa muaj para dorëheqjes së tij në fund të vitit 2014, shefi i atëhershëm i Agjencisë, Boro Vuçiniq, pranoi se Agjencia duhej të depolitizohej.

Në vitin 2015, një zyrtar i lartë i inteligjencës në ANB, Zoran Lazoviq, u detyrua të dilte në pension pas shumë vitesh të spekulimeve rreth lidhjeve të pretenduara me krimin e organizuar.

Spekulimet nisën në vitin 2010 nga një video e cila e shfaqte Lazoviqin në dasmën e Safet Kaliqit, i cili më vonë u akuzua për pastrim të të ardhurave nga trafiku i drogës mirëpo u shpall i pafajshëm në vitin 2018 në mungesë të provave.

Mbikëqyrësit anti-korrupsion i kishin bërë thirrje prokurorisë ta hetojë Lazoviqin mirëpo kjo Agjenci nuk iu kishte përgjigjur asnjëherë thirrjeve të tyre; ANB ka deklaruar se Lazoviq kishte qenë pjesëmarrës në dasmë si pjesë e detyrave të tij zyrtare dhe nuk pranoi të dorëzonte asnjë dokumentacion në lidhje me çështjen në fjalë.

Në qershor të vitit 2019, Lazoviq u emërua ndihmësdrejtor i Policisë ingarkuar me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.