Foto: Meliza Haradinaj/Facebook

Haradinaj-Stublla: Kosova mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se për herë të parë në historinë politike, Kosova do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook ka thënë se këtë ja ka konfirmuar Zëvendës-Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer.

“Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë ma konfirmoi gjatë takimit Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer” ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Tutje, ajo ka shënuar se bashkë me ministrin e Drejtësisë Selim Selimi kanë diskutuar me  Mattthew Palmer për  dialogun me Serbinë, duke theksuar se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme Meliza-Haradinaj-Stublla sot janë takuar  në ShBA me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, ku fliten për  arritjen e marrëveshjes për njohjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.