Haradinaj: E kuptoj frustrimin e Edi Ramës, ia prisha planin serbomadh

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në adresë të tij, lidhur me sulmet që sipas shefit të Qeverisë shqiptare po ia bën Haradinaj kryeministrit Albin Kurti pas vendimit për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Në një postim në Facebook, Haradinaj e ka quajtur të kuptueshëm “frustrimin” e Edi Ramës ndaj tij.

Kjo, sipas Haradinajt, ka të bëjë me atë se ai ia prishi Ramës planin serbomadh.

Ky është postimi i tij i plotë:

“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh.

Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit.

Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori.”