Haradinaj: AAK do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se prapa nismës për shpërndarjen e Parlamentit qëndron Kurti, duke thënë se ky i fundit “dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”- ka theksuar Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”-ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në një darkë e cila zgjati rreth tre orë mes Kurtit dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, më 13.05.2024, është diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë takim e kanë refuzuar dy partitë opozitare, AAK dhe LDK.

Pas këtij takimi, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Kurti deklaroi se nuk do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy ose tri parti, por që të gjithë “të jenë bashkë”.

Ndërkaq, kreu i PDK-së theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve, përmes një mocioni të përbashkët.