Foto: KALLXO.com

Hamza: Qeveria të propozojë masa ligjore për faljen e gjobave ndaj bizneseve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se ata edhe më herët kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të propozojë masa ligjore për faljen e gjobave të shqiptuara ndaj bizneseve në kohë pandemie.

Ai këtë deklaratë e dha sot në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”. Interpelanca është ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ne po kërkojmë masa ligjore ose të vjen Qeveria përmes iniciativës, përmes projektligjit ta rregullojë këtë çështje ose Kuvendi mes iniciativë ligjore. Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si precedan se do të ndodhë në të ardhmen”, tha ai.

Hamza tha se kërkojnë një plan konkret për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset për shkak të pandemisë.

Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me falje të borxheve nuk mund të mbahet shteti.