Haiti, dhjetëra të vdekur nga termeti me magnitudë 7.2 - VIDEO

Të paktën 29 persona humbën jetën pasi një tërmet me magnitudë 7.2 ballë goditi Haitin të shtunën, vetëm disa ditë para mbërritjes së pritshme të një stuhie tropikale në atë vend. Kryeministri Ariel Henry tha se qeveria po mobilizonte të gjitha burimet në dispozicion për të ndihmuar viktimat në zonat e prekura.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-o-Prins, tha Shërbimi Gjeologjik Amerikan. Ka njoftime për dëme të mëdha.

Jerry Chandler, drejtori i mbrojtjes civile të Haitit, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se numri i të vdekurve kishte shkuar në 29 dhe se po dërgohen ekipe për misione kërkim-shpëtimi.

Henry shkroi në rrjetin Twitter se “tërmeti i dhunshëm” kishte shkaktuar humbje jete dhe dëme në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa u bëri thirrje haitianëve që të bashkohen për të përballuar këtë situatë dramatike.

Ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë një mujore në të gjithë vendin. Në një konferencë për shtyp, ai tha se nuk do të kërkonte ndihmë ndërkombëtare derisa të mësohej shkalla e dëmeve.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë ndërtesa të shembura pranë epiqendrës së termetit dhe njerëz që vrapojnë në rrugë. Njerëzit në kryeqytetin Port-o-Prins mbushën rrugët nga frika pasi ndjenë dridhjet, megjithëse atje duket se nuk ka patur dëme.

Naomi Verneus, një 34-vjeçare nga Port-o-Prinsi, tha se ishte zgjuar nga lëkundjet tërmetit kur ndjeu se shtrati po dridhej.

“U zgjova dhe nuk kisha kohë të vishja këpucët. I mbijetuam tërmetit të vitit 2010 dhe gjithçka mund të bëja ishte të vrapoja. Më vonë u kujtova se dy fëmijët e mi dhe nëna ishin akoma brenda. Fqinji im hyri dhe u tha që të dilnin. Vrapuam në rrugë”, tregon zonja Verneus.

Ky vend i varfër, ku shumë jetojnë në rrethana të vështira, goditet shpesh nga tërmetet dhe uraganet. Në vitin 2018, Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 5.9 ballë që vrau më shumë se 12 njerëz dhe një tërmet shumë më i fuqishëm, me magnitudë 7.1 ballë dëmtoi pjesën më të madhe të kryeqytetit në vitin 2010 dhe u mori jetën rreth 300,000 njerëzve.

Qendra Kombëtare e Uraganëve ka parashikuar se stuhia tropikale Grace do të godasë Haitin të hënën në mbrëmje ose të martën herët në mëngjes. Tërmeti i së shtunës vjen më shumë se një muaj pas vrasjes së Presidenti Jovenel Moïse, që e çoi atë vend në kaos politik, ndërsa grupet e ndihmave humanitare thonë se tërmeti do t’i shtojë vuajtjet.

“Jemi të shqetësuar pasi ky tërmet është vetëm një krizë më shumë mbi ato që vendi aktualisht po përballon, përfshirë këtu edhe përkeqësimin e ngërçit politik pas vrasjes së presidentit, pandeminë dhe pasigurinë ushqimore”, tha Jean -Wickens Merone me organizatën bamirëse “World Vision Haiti”./VOA