Grevë e punonjësve të aeroporteve në Gjermani, mund të anulohen ose vonohen mbi 1,000 fluturime

Mbi 1,000 fluturime mund të anulohen ose vonohen, duke prekur mbi 200,000 pasagjerë, pasi stafi i sigurisë së aeroportit filloi një grevë njëditore në 11 aeroportet kryesore në Gjermani të enjten, sipas shoqatës së aeroporteve të Gjermanisë ADV.

Greva filloi të mërkurën mbrëma në aeroportin e Këlnit/Bonnit në Gjermaninë perëndimore kur stafi i kontrollit të pasagjerëve nuk u paraqit për turnin e natës.

Özay Tarim, zëdhënës i sindikatës Verdi, thotë se përqindja e pjesëmarrjes në grevë në atë aeroport ishte 100%.

“Ishte një fillim i suksesshëm i grevës” – ka deklaruar ai, duke shtuar se pret që më shumë se 80% e fluturimeve – duke përfshirë mbërritjet dhe nisjet – të anulohen gjatë ditës.

Stafi i sigurisë e ka ndaluar punën në Frankfurt, Hamburg, Bremen, Berlin, Leipzig, Düsseldorf, Këln, Hanover, Shtutgart, Erfurt dhe Dresden pasi sindikata Verdi bëri thirrje për veprime industriale.

Të gjitha ngritjet u anuluan në aeroportet në Berlin, Hamburg, Hanover dhe Shtutgart. Mbërritjet do të kenë gjithashtu vonesa të mëdha.

Në të njëjtën kohë, aeroporti i Dyseldorfit kishte anuluar vetëm një të tretën e fluturimeve të tij. Tarim thotë se kompania e sigurisë atje u kishte ofruar punëtorëve një “bonus për ndalimin e grevës” prej 200 eurove për t’u paraqitur në punë.

Aeroportet në shtetin jugor të Bavarisë – si Mynihu dhe Nuremberg – nuk ndikohen nga veprimi industrial pasi punonjësit e tyre të sigurisë konsiderohen punonjës të sektorit publik dhe kanë kontrata të ndryshme.

Sindikata Verdi e ka thirrur grevën pasi disa raunde bisedimesh të marrëveshjeve kolektive me Shoqatën e Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk arritën një marrëveshje.

Kërkesa kryesore është rritja e pagës për orë prej 2,80 euro. Një zëdhënës i BDLS tha se ata kishin bërë një ofertë për një rritje page prej 4% për këtë vit, e ndjekur nga një rritje pagash me 3% vitin e ardhshëm, por tha se kërkesa e sindikatës ishte e papërballueshme.

Greva e së enjtes vjen pasi sindikata gjermane e shoferëve të trenave GDL bëri thirrje për grevën më të gjatë hekurudhore në Gjermani javën e kaluar pas një mosmarrëveshjeje me operatorin kombëtar hekurudhor Deutsch Bahn.

Sindikata Verdi u ka bërë thirrje gjithashtu punonjësve të transportit publik lokal në pjesën më të madhe të Gjermanisë të bëjnë grevë të premten./DW

Përgatiti: Nuhi Shala