Greqia konfirmon rastin e parë me Omicron

Në Greqi është konfirmuar rasti i parë me variantin Omicron, kanë bërë të ditur autoritetët.

“Rasti ka të bëjë me një shtetas grek nga Afrika e Jugut, i cili ndodhet në Kretë. Të gjitha protokollet e kontaktit të karantinës dhe gjurmimit janë zbatuar”, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë në Greqi.

I infektuari me Omicron i cili është me banim të përhershëm në vendin afrikan, mbërriti në aeroportin grek më 26 nëntor.

Ai ishte vaksinuar dhe kishte simptoma të lehta. Testet e para ishin negative, por një test PCR më 29 nëntor tregoi se ai ishte pozitiv me variantin e ri të Covid-19.

Në vazhdën e shfaqjes së variantit të ri, Greqia ka forcuar masat për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Parlamenti miratoi të mërkurën në mbrëmje një projektligj që parashikon vaksinimin e detyrueshëm të banorëve të përhershëm të Greqisë mbi 60 vjeç vitin e ardhshëm.

Ata që nuk do të rezervojnë terminet për vaksinim deri më 16 janar do të përballen me një gjobë mujore prej 100 euro.

Greqia konfirmoi të mërkurën 6,196 infeksione të reja dhe 75 vdekje në 24 orët e fundit, ndërsa 690 pacientë ishin në ventilatorë në spitalet në mbarë vendin/21Media.