Richard Grenell

Grenell: Kosova dhe Serbia takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë

I dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se më 27 qershor do të ketë takim në Shtëpinë e Bardhë për bisedime rreth dialogut.

Grenell përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka marrë premtimin e Serbisë së do të ndalet fushata e çnjohjes.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, ka shkruar ai.

Grenell ka theksuar se së pari duhet fokusuar në rritjen ekonomike.

“Siç e kemi thënë në vazhdimësi, së pari duhet të bëjmë progres në rritjen ekonomike. Ky është fokusi. Shikoj përpara për këto bisedime”, ka shkruar Grenell.

Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.