Gratë kosovare mund të aplikojnë në gjashtë çmime për “Gratë Sipërmarrëse të Vitit të Ballkanit Perëndimor”

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me seli në Sarajavë ka njoftuar se këtë vit do të bëjë ndarjen e gjashtë çmimeve në kategori të ndryshme të biznesit për gratë në Ballkanin Perëndimor.

Për këto çmime do të mund të nominohen edhe gratë nga Kosova.

“Gratë Sipërmarrëse të Vitit të Ballkanit Perëndimor” synohet sipas RCC-së të bëhet traditë, për të evidentuar e vlerësuar gratë që kanë krijuar e zhvilluar bizneset e tyre, duke kontribuar kështu në hapjen e vendeve të reja të punës, në krijimin e një tregu e ekonomie më të qëndrueshme në vendet e rajonit tonë.

“Gratë sipërmarrëse janë kontribuese jetike për mirëqenien e Ballkanit Perëndimor. Puna e tyre e palodhur, mendimi inovativ dhe angazhimi i palëkundur i tyre, i ndihmojnë me të vërtetë ekonomitë tona të rriten dhe shoqëritë tona të zhvillohen. Nëpërmjet kësaj nisme, synimi i Këshillit të Bashkimit Rajonal është t’u përcjellë mirënjohjen grave që guxuan të luftojnë stereotipet dhe të bëjnë ndryshimin në jetën e tyre dhe të shoqërive ku ato jetojnë”, ka bërë të ditur ky Këshill.

Nominimet do të jenë të hapura deri më 4 mars 2022 për për gjashtë kategori, “Gruaja sipërmarrëse e gjelbër”, “Gruaja sipërmarrëse kreative”, “Gruaja sipërmarrëse e udhëtimit dhe mikpritjes”, “Gruaja sipërmarrëse rome”, “Gruaja startup” dhe “Gruaja sipërmarrëse e re”.

Fituesit, që do të përzgjidhen nga një komision dhe do të shpallen në Konferencën Rajonale për Gratë Sipërmarrëse në Ballkanin Perëndimor, që do të organizohet më 11 mars 2022 në Tiranë.

“Gjashtë gratë që do të shpallen “Gratë sipërmarrëse të vitit të Ballkanit Perëndimor (2021)” do të marrin një mbështetje mentorimi deri në 20 ditë, gjatë një periudhe 5 mujore; do të anëtarësohen e do të marrin statusin e kontribuesit në Qendrën Rajonale të Grave Sipërmarrëse (RWEH) që do të ngrihet nga RCC; do të promovohen përmes kanaleve të komunikimit të RCC-së, si dhe do të marrin ftesa për evente e nisma të ndryshme që do të ndërrmarë RCC, me qëllim që të kenë hapësira për të shfaqur historitë e tyre të suksesit”, vazhdon njoftimi.