‘Global Finance', Kosova më e varfra në rajon

Kosova është renditur si vendi më i varfër, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit, sipas publikimit të revistës ndërkombëtare për ekonomi “Global Finance”.

Kjo revistë ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfri për vitin 2022.

Sipas këtyre të dhënave, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë nga 192 shtete, me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.

Mali i Zi renditet si më i pasuri në rajon.

Para Kosovës renditen, Shqipëria (vendin e 90-të), Maqedonia e Veriut (78), Serbia (72), Mali i Zi (69).

Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.

Matja e vendeve të pasura dhe të varfëra, sipas revistës bëhet duke iu referuar të ardhurave për kokë banori dhe bazuar në fuqinë blerëse.

Sipas renditjes së “Global Finance”, vendi më i pasur në botë është Luksemburgu, më pas Singapori, Irlanda e Katari.

Në fillim të listës renditen edhe vende si Zvicra, Emiratet e Bashkuara Arabe, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa vendet më të varfëra të botës, renditen: Burundi, Sudani i Jugut, Somalia, Nigeria, Republika e Kongos dhe vende të tjera afrikane.