Belgrade Higher Court. Photo: BIRN.

Gjyqi për masakrat e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Lubeniqit ngec në Serbi për dy vjet

Një tjetër shtyrje në gjyqin e 11 ushtarëve të ushtrisë jugosllave të akuzuar për kryerjen e krimeve kundër civilëve gjatë luftës në Kosovë do të thotë se nuk ka pasur asnjë seancë dëgjimore për këtë rast që nga nëntori 2019.

Seanca dëgjimore në gjyqin e 11 ish-ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte në katër fshatra të Kosovës në maj 1999 u shty të hënën në Gjykatën e Lartë të Beogradit, që do të thotë se kanë kaluar plot dy vjet pa u mbajtur asnjë seancë dëgjimore në këtë rast.

Seanca u shty për shkak se gjykata nuk arriti të realizojë një video-konferencë me një burg në Gjermani ku po vuan dënimin Zoran Rashkoviq, dëshmitar në këtë rast.

Një tjetër dëshmitar që ishte planifikuar të paraqitej, Zoran Obradoviq, i cili po ashtu jeton në Gjermani, nuk mundi të vinte në Beograd për shkak të situatës së COVID-19.

Gjykatësi Vladimir Duruz tha se video-telefonata nuk mund të vendoset sepse 1 nëntori është festë në Gjermani.

“Ishte e sigurt që ne do ta merrnim në pyetje Rashkoviqin, deri të premten pasdite kur ata [burgu] na njoftuan se duhet ta çonin nga ai burg ku po mbahej në një institucion tjetër [për video-telefonatën], por pastaj atyre iu kujtua që është festë”, tha Duruz.

11 ish-anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave janë në gjyq për kryerjen e krimeve të luftës në fshatrat Zahaq, Qyshk, Pavlan dhe Lubeniq në Kosovën perëndimore në maj 1999. Aktakuza pretendon se ata vranë të paktën 118 civilë shqiptarë.

Ish-ushtarët u dënuan fillimisht në vitin 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit e ndryshoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Dëshmitari më i fundit në këtë rast u dëgjua në qershor 2019 dhe seanca e fundit ishte më 22 nëntor 2019, kur i pandehuri Predrag Vukoviq, i cili u arrestua në Mal të Zi një vit më parë, doli për herë të parë në gjykatë.

Gjykatësi Duruz shpjegoi në korrik të këtij viti, kur edhe një seancë u shty, se Vukoviq dhe mbrojtja e tij kishin propozuar që të merren në pyetje dy dëshmitarët, Zoran Rashkoviq dhe Zoran Obradoviq.

Duruz vuri në dukje se vendimi i apelit, i cili urdhëroi një rigjykim të çështjes, sugjeroi që gjatë gjykimit të parë, gjykata nuk bëri përpjekje të mjaftueshme që të gjithë dëshmitarët të dëgjoheshin drejtpërdrejt.

Dëshmitari i propozuar Rashkoviq është një ish-shok i të pandehurve. Ai u intervistua për “Të Paidentifikuarit”, filmi dokumentar i BIRN-it, i cili hetonte komandantët pas masakrave të vitit 1999 në Kosovë.