Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Gjykimi për dhunimin dhe vrasjen e të miturit po mbahet me dyer të mbyllura

Pas një viti e dy muaj nga vrasja e fëmijës Kujtim Veseli, filloi gjykimi ndaj të akuzuarit S.O.

Gjykimi në Departamentin e Krimeve të Rënda, sot u mbajt me dyer të mbyllura  pasi u konfirmua aktakuza nga Gjykata e Apelit.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokatja Rina Kikaj, mbrojtëse e familjes së dëmtuar të Kujtim Veselit.

Kikaj, për KALLXO.com tha se e kanë obligim ligjor të mos flasin për atë çfarë ka ndodhur sot në seancë.

Por ajo deklaroi se kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike më 7 shtator 2020 dhe kanë kërkuar nga Gjykata e Prishtinës, që në këtë gjykim të vendosë për këtë kërkesë duke mos i udhëzuar në kontest civil.

“Ndërkaq, pas sigurimit të shkresave të lëndës nga Prokuroria për dhunim në janar 2019, e kemi kuptuar se Prokuroria tashmë kishte ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet S.O. në Gj. Themelore Departamenti për të Mitur. Për këtë rast do të zhvillohet proces gjyqësor i ndarë”, tha ajo.

Gjithashtu, avokatja Kikaj, bëri të ditur për KALLXO.com se kanë kërkuar të zgjerohet akuza edhe në drejtim të veprës penale dhunimi që ka ndodhur më 29 janar 2019, ndaj viktimës tani të ndjerë Kujtim Veseli.

Por kërkesa e saj ishte refuzuar me arsyetimin se për dhunimin e datës 29 janar 2019, është  filluar procedura në Departamentin për të Mitur si procedurë e ndarë, nga kjo që po zhvillohet sot në Departamentin për Krime të Rënda.

Kujtojmë se Prokuroria e Prishtinës, më 6 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzën ndaj S.O. për veprat penale dhunim dhe vrasje të rëndë.

Sipas Prokurorisë, S.O. më 11 korrik 2019, në Fushë Kosvë, pasi e kishte dhunuar tani të ndjerin Kujtim Veseli e kishte vrarë.