Gjykatës së Apelit pritet t’i shtohen pesë gjyqtarë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi që të shpall konkurs për përzgjedhjen e tre gjyqtareve për Gjykatën e Apelit si dhe dy anëtarëve të rinj për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Deri në qershor të vitit 2020 pritet që gjashtë gjyqtar të Gjykatës së Apelit të dalin në pension, vendin e të cilëve pritet ta zënë pesë gjyqtarë të tjerë.

Në Gjykatën e Apelit u tha se është shpallur konkurs për përzgjedhjen e dy gjyqtareve ndërsa në mbledhjen e sotme u vendos që të shpallet konkurs edhe për tre gjyqtarë të tjerë.

Ndonëse u diskutua për nevojën e madhe për numër më të madh të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, momentalisht u tha se kaq e lejon buxheti i planifikuar për këtë Gjykatë.

Muaj më parë në një analizë të publikuar nga BIRN u ngrit shqetësimi se si Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, në tri vitet e fundi i janë ndarë gati 18 milionë euro më pak sesa kanë kërkuar.

Ndër të tjera në mbledhjen e KGjK-së u aprovua edhe rregullorja për procedurën dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtareve të KGjK-së së bashku me udhëzuesin administrativ për procedurën e zgjedhjes së anëtareve të KGjK-së.

Anëtarja e KGjK-së, Anita Krasniqi-Prenaj tha se komisioni normativ i ka mbajtur disa mbledhje dhe kjo rregullore ka qenë edhe në konsultim publik, ndërsa theksoi se pas pranimit të komenteve nga publiku dhe OJQ-të, ato komente të cilat komisioni i ka vlerësuar dhe ato që i ka parë me të arsyeshme edhe i ka aplikuar në këtë rregullore.

Kjo rregullore është hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e JSSP-në dhe të BE-së.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, anëtaret e këshillit i zgjodhën edhe komisionet për shqyrtimin dhe zhvillimin e procedurave të rekrutimit për dy anëtarët e rinj të këshillit.

Sipas kryesuesit të KGjK-së, Skender Çoçaj njëri anëtar do të jetë një gjyqtar nga Gjykata e Apelit ndërsa tjetri nga Gjykatat Themelore të Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhje u miratua edhe Udhëzimi Administrativ për publikimin e aktgjykimeve të përpunuara si dhe manuali e po ashtu u vendos që të bëhet përzgjedhja me short e gjyqtarëve që do ti nënshtrohen procedurës së performancës në mënyrë random/me short.