Gjykata vendos për të dyshuarin për dhunimin e dy vajzave në Kaçanik

Një muaj paraburgim i është caktuar, më 31.01.2025, nga Gjykata e Ferizajt, të dyshuarit për veprën penale të dhunimit – rasti ky i cili u regjistrua në Kaçanik.

KALLXO.com mëson se dy vajzat bashkë me të dyshuarin kanë lidhje familjare mes vete, ndërsa rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, më 21.01.2025.

Vajzat janë ankuar në Polici se janë dhunuar seksualisht nga familjari i tyre, gjatë periudhës 2012-2019.

Prokuroria në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com, se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, viktimat kanë qenë të moshës së mitur.

I dyshuari për kryerjen e dhunimit është arrestuar disa ditë më vonë, më 29.01.2025. Me vendim të Prokurorit, ai është dërguar në mbajtje fillimisht për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar edhe masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.

Të premten, më 31.01.2025, i dyshuari doli para Gjyqtarit të procedurës paraprake për t’u ballafaquar me dyshimet që ka ngritur Prokuroria në Ferizaj.

Lajmin për masën e sigurisë që u vendos nga Gjykata, e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Gjykatës në Ferizaj, Gentiana Hoxha.