Foto: KALLXO.com

Vrasja në Ferizaj, Prokuroria për të dyshuarit: Njëri me armë automatike e tjetri me teshlicë

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për dy të dyshuarit për vrasjen që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30 në Bibaj të Ferizajt.

Lidhur me rastin ku i vdekur mbeti S. Sadriu, Prokuroria e Ferizajt ka dhënë detaje të reja.

Sipas Prokurorisë, S. Sadriu u vra nga të dyshuarit F.R. dhe J.M. për motive të ulëta, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, ku kishte qenë viktima.

Prokuroria thotë se sapo të dyshuarit vërejnë se S. Sadriu hyn në parkingun e sallës së dasmave, të dy ndalin automjetet e veta në vendin e ngjarjes, dhe J.M. me sqepar në dorë i është vërsulur viktimës, ndërsa F.R. me armë automatike ka shtënë disa herë në viktimën.

“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt më 17.08.2024.

Prokuroria ka vlerësuar se dy të dyshuarit në bashkëkryerje kryen veprën penale – vrasja e rëndë dhe kanë vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin.

Autori i dyshuar i vrasjes që ndodhi mbrëmjen e datës 16.08.2024 është zyrtari i Policisë, F. Ramadani.

Pas arrestimit në lidhje me vrasjen e S. Sadriut në Bibaj të Ferizajt, zyrtari policor F. Ramadani dhe një person tjetër për të cilin KALLXO.com mëson se është i afërm i policit, nuk janë deklaruar para hetuesve të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, pra janë mbrojtur në heshtje.

KALLXO.com mëson se ende nuk janë të qarta arsyet që shtyen vrasjen që ndodhi në parkingun e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt ndërsa janë përmendur disa ‘motive të ulëta’.

Siç mëson KALLXO.com janë shikuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në perimetrin ku ka ndodhur vrasja dhe është identifikuar se përvec zyrtarit policor që dyshohet se me armë zyrtare gjuajti në drejtim të S. Sadriut, edhe një person tjetër me një veturë tjetër ishte në vendin e ngjarjes.

Ky pasi ishte identifikuar është arrestuar dhe është dërguar në stacion për intervistim. Edhe për këtë person që është i afërm i policit, është caktuar masa e sigurisë për 48 orë.

Edhe polici edhe familjari i tij kanë shkuar në vendin e ngjarjes me dy vetura. Në pamjet që tashmë ka në dorë policia dhe prokuroria shihen të dy të dyshuarit duke dalë nga veturat e tyre.

Nga burime brenda Prokurorisë, KALLXO.com mëson se i dyshuari i dytë fillimisht do të trajtohet për veprën penale në bashkëkryerje e më pas në bazë të zbardhjes së rastit do të shqyrtohet edhe cilësimi apo ricilësimi i veprës penale.

Polici siç mëson KALLXO.com armën e gjatë e kishte me vete, armë kjo me të cilën janë pajisur muajt e fundit policët e Kosovës.