Foto: KALLXO.com
Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim për dy të dyshuarit e arrestuar për vrasjen në Bibaj
Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve F.R., dhe J.M., për rastin e vrasjes së rëndë që ndodhi mbrëmë, më 16.08.2024, në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave ku kishte shkuar viktima, i pandehuri F.R., i cili ishte zyrtar policor, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën, ndërsa J.M. i ishte vërsulur me një mjet të fortë viktimës.
“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt më 17.08.2024.
Prokuroria ka vlerësuar se dy të dyshuarit në bashkëkryerje kryen veprën penale – vrasja e rëndë dhe kanë vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, ku për pasojë i ndjeri ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
S. Sadriu është personi që u vra mbrëmë, më 16.08.2024, në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt.
Autori i dyshuar i këtij akti është F. Ramadani, pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Pas arrestimit në lidhje me vrasjen e S. Sadriut në Bibaj të Ferizajt, zyrtari policor F. Ramadani dhe një person tjetër për të cilin KALLXO.com mëson se është i afërm i policit, nuk janë deklaruar para hetuesve të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, pra janë mbrojtur në heshtje.
KALLXO.com mëson se ende nuk janë të qarta arsyet që shtyen vrasjen që ndodhi në parkingun e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt ndërsa janë përmendur disa ‘motive të ulëta’.
Siç mëson KALLXO.com janë shikuar kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në perimetrin ku ka ndodhur vrasja dhe është identifikuar se përvec zyrtarit policor që dyshohet se me armë zyrtare gjuajti në drejtim të S. Sadriut, edhe një person tjetër me një veturë tjetër ishte në vendin e ngjarjes.
Ky pasi ishte identifikuar është arrestuar dhe është dërguar në stacion për intervistim. Edhe për këtë person që është i afërm i policit, është caktuar masa e sigurisë për 48 orë.
Edhe polici edhe familjari i tij kanë shkuar në vendin e ngjarjes me dy vetura. Në pamjet që tashmë ka në dorë policia dhe prokuroria shihen të dy të dyshuarit duke dalë nga veturat e tyre.
Nga burime brenda Prokurorisë, KALLXO.com mëson se i dyshuari i dytë fillimisht do të trajtohet për veprën penale në bashkëkryerje e më pas në bazë të zbardhjes së rastit do të shqyrtohet edhe cilësimi apo ricilësimi i veprës penale.
Polici siç mëson KALLXO.com armën e gjatë e kishte me vete, armë kjo me të cilën janë pajisur muajt e fundit policët e Kosovës.