LVV: Komuna e Prishtinës po përkrah projektin e dyshimtë të NPB-së në ‘Lakrishtë’

Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media bëri të ditur se sot mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore ku pritet vendimi për caktimin e masës së përkohshme për projektin milionësh të Ndërmarrjes Publike Banesore në ‘Lakrishtë’ e iniciuar muaj më herët nga kjo parti.

Shefi i deputeteve të LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka thënë se u desh të presin 71 ditë për t`u thirrur kjo seancë.

“Kushdo ka pritur që pas dorëzimit të kërkesës sonë në Gjykatën Themelore, pas një jave të thirrej seanca për masën e sigurisë, por jo, u deshën 71 ditë që gjykata të mbajë seancën ku do mbrohet prona publike. Sot do mbahet seanca në udhëheqjen e gjyqtarit Dardan Kadolli, i cili ka edhe përgjegjësi të jap fjalën finale për këtë rast të ndjeshëm”- ka thënë ai.

Sipas tij, kryetari i komunës Përparim Rama po vazhdon të hesht lidhur me këtë projekt.

“Po vazhdon heshtja e kryetarit të komunës së Prishtinës që paraprakisht këtë ndërmarrje u’a la në përkujdesje aksionareve të PDK-së. Asnjë diskutim nuk u lejua në kuvendin komunal”- shtoi ai.

Sveçla bëri të ditur se komuna  po e mbron këtë projekt të paligjshëm.

“Në vend se komuna të bashkohej me ne në këtë padi, komuna sot përmes NPB-së ka sjellë përgjigje në padinë tonë ku e mbron këtë projekt të paligjshëm, mbrojtja e kompanive private, mbron ata që tani janë në hetim nga prokuroria. Çfarë mund të  thuhet më shumë, përpos se është figurë e krimit të organizuar”- shtoi Sveçla.

Derisa, Egzon Azemi përfaqësues i LVV-së tha se tash e një vit po tentohet grabitja e 17 mijë metra katrorë të pronës publike.

Sipas tij, përmes këtij projekti po bëhet pastrim parash.

“Prej një viti jemi dëshmitarë të tentimin grabitjes së 17 mijë metrave katrorë, hapësirë publike në qendër të kryeqytetit, kjo pronë është vënë në shënjestër të mafias së ndërtimit dhe pastrimit të parasë, falë veprimeve të paligjshme të ish bordit të NPB-së përmes krye shefit Hajdar Hoxha por, edhe në bashkëpunim me ish kryetarin”- ka thënë Azemi.

“Këta tentuan t’ua falin pronën kompanive private dhe atyre që qëndrojnë pas tyre, ku aplikuan në një shpallje me mungesë të shumë informacioneve, e cila zgjati 3 ditë”- shtoi ai.

Sipas tij, njëra prej kompanive fituese u regjistrua në ARBK vetëm një ditë para shpalljes së tenderit.

“Ky projekt kap vlerë rreth 200 milionë euro, Made Group Construction u regjistrua në ARBK vetëm një ditë para se të hapej shpallja, në konzorciumin fitues u bashkua edhe kompania Arkos”- shtoi ai.

Azemi tutje potencoi se ky projekt edhe iniciuesit e tij tashmë zyrtarisht janë duke u hetuar, si dhe bëri thirrje që mos të provojnë t’i prekin provat e as njerëzit që po tentojnë të zbardhin këtë rast.

Më 8 gusht 2022 Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi padi kundër NPB-së dhe 3 kompanive lidhur me projektin milionësh në lagjen ‘Lakrishtë’.

LVV pati deklaruar se padia u drejtohet kompanive private që janë pjesë e konzorciumit dhe NPB-së, që sipas tij, po rrezikon pasurinë publike të kryeqytetit.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen ‘Lakërishtë’ të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

E në gusht po ashtu Policia kishte kryer bastisje në NPB. Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.