Gjykata e Apelit: Lejohet ndërrimi i emrit dhe gjinisë në regjistrin civil

Organizatat jo-qeveritare për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë, CEL dhe CSGD, ka njoftuar se dje është informuar rreth vendimit të Gjykatës së Apelit me të cilin është aprovuar kërkesa për ndërrimin e emrit dhe gjinisë së një personi transgjinor në regjistrin civil të Republikës së Kosovës.

“E drejta e njohjes së identitetit gjinor mbrohet në kuadër të së drejtës së privatësisë e cila garantohet nga Kushtetuta e Kosovës, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e CEL.

“CEL dhe CSGD mirëpresin vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e konsiderojnë si një hap shumë të rëndësishëm të sistemit gjyqësor për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit transgjinor në Kosovë. Ky vendim duhet t’i shërbejë si shembull Zyreve të Gjendjes Civile, si dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil në Kosovë për mënyrën e trajtimit dhe vendosjes në lidhje me kërkesat e ardhshme për ndërrim të emrit dhe shënuesit të gjinisë nga personat transgjinor”, thuhet tutje në njoftim.