Gjermani: Një luaneshë e dyshuar në arrati jashtë Berlinit

Një “kafshë e lirë, e rrezikshme”, e dyshuar të jetë një mace e madhe e arratisur, thuhet se u pa në një rajon të Potsdamit në periferi të kryeqytetit gjerman të enjten, sipas policisë së atjeshme.

Autoritetet po përdorin helikopterë për të gjurmuar atë që ata besojnë se është një luan femër dhe u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, raportoi transmetuesi publik RBB.

Sipas tabloidit gjerman BILD, forcat e sigurisë po përdornin gjithashtu një automjet të blinduar, drone dhe kamera infra të kuqe në kërkim.

Policia tha se në operacionin për gjetjen e kafshës po marrin pjesë edhe specialistë veterinar dhe gjuetarë.

Një zëdhënës i policisë tha se dronët po përdoren aty ku është e mundur për ta shmangur metodën e zakonshme të kërkimit të krehjes së zonave pyjore në këmbë.

Të enjten në mbrëmje, një zëdhënës i policisë tha se 220 zyrtarë policie po kërkonin pranë vendit ku luanesha u pa për herë të fundit në zonat pyjore pranë komunave Kleinmachnoë, Teltoë dhe Stahnsdorf në skajin jugor të Berlinit.

Kërkimet pritet të vazhdojnë gjatë natës me ndihmën e pajisjeve të shikimit të natës, ka deklaruar zëdhënësi i policisë.

Policia rinovoi paralajmërimet e saj vonë të enjten në mbrëmje, duke u thënë njerëzve të shmangin zonat pyjore rreth skajeve të Berlinit jugor.

Ata thanë se oficerët e tyre do të qëndronin në zonë gjatë natës dhe kërkimi do të rifillonte seriozisht në mëngjes. Kërkimet të premten pritej të intensifikoheshin me gjurmuesit profesionistë të kafshëve që pastrojnë pyllin./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala