Objekti i Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Gjakovë, ish-asamblistja dënohet me gjobë për mosraportim të pasurisë

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar me 400 euro gjobë ish-asamblisten Hana Zeka për mosraportim të pasurisë.

Këtë dënim, ajo ishte e obliguar që ta paguaj brenda afatit kohor prej 30 ditësh.

Prokuroria e akuzonte Zekën se në cilësinë e ish-këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë nga rradhët e partisë Alternative nuk e ka kryer obligimin e saj për deklarimin e pasurisë së saj në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Aktakuza e këtij rasti është ngritur më 29 nëntor të vitit 2019.

Ndërsa me 30 qershor të vitit 2020, ajo kishte pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohej.

Ajo kishte thënë që në shkurt të vitit 2019, kishte paraqitur kërkesën për dorëheqje nga pozita e asamblistes dhe se ajo kërkesë i ishte aprovuar në qershor të atij viti.

Ajo kishte thënë se nuk ka qenë e informuar se duhej ta bënte deklarimin e pasurisë, ndërkaq deklarimin e ka bërë përfundimisht në muajin shtator të vitit 2019.

Në aktgjykimin e publikuar në faqen e gjykatës, gjykatësja Ilirjana Hoti ka treguar edhe rrethanat që janë marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimit.

Gjatë dhënies së këtij dënimi, gjykata duke mos gjetur rrethana rënduese, kishte konkluduar se edhe me dënimin me gjobë do të arrihej efekti dhe qëllimi i dënimit.

Ndërsa, si rrethanë lehtësuese, gjykata ka vlerësuar pranimin e fajësisë për vonesën e raportimit të pasurisë, keqardhjen nga ana e saj dhe faktin se e njëjta nuk kishte qenë e dënuar më parë.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga 27 qershor e deri më 27 korrik 2019, Hana Zeka nuk e ka bërë deklarimin e rregullt në afatin e paraparë ligjorë.

Në aktakuzë thuhet se ky obligim është i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik.