George W. Bush - Foto: Facebook/ George W. Bush

George W. Bush e uron Joe Bidenin për fitoren

Ish-presidenti amerikan, George W. Bush, e përgëzoi sot Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Siç raporton The New York Times, Bush ka deklaruar se pavarësisht dallimeve politike, Bidenin e njeh si një njeri të mirë që ka fituar mundësinë për të bashkuar ShBA-të.

“Unë i shpreha urimet e mia të ngrohta dhe e falënderova për mesazhin patriotik që dha natën e kaluar”, tha Bush në një deklaratë të lëshuar pasi ai foli me Bidenin në telefon.

“Unë gjithashtu thirra Kamala Harris për ta përgëzuar për zgjedhjen e saj historike si zëvendëspresidente. Megjithëse kemi dallime politike, unë e njoh Joe Biden si një njeri i mirë që ka fituar mundësinë e tij për të udhëhequr dhe bashkuar vendin tonë”, ka thënë Bush.

Ish-presidenti republikan i ka bërë thirrje Donald Trumpit ta pranojë rezultatin.

“Unë dua të përgëzoj presidentin Trump dhe mbështetësit e tij për një fushatë të luftuar fort. Ai fitoi votat e më shumë se 70 milionë amerikanëve – një arritje e jashtëzakonshme politike. Ata kanë folur dhe zërat e tyre do të vazhdojnë të dëgjohen përmes republikanëve të zgjedhur në çdo nivel të qeverisjes”, tha ai.