Foto: KALLXO.com

FSK- ja nderohet me çmimin FIDES 2019 për kontribut kombëtar

Forca e Sigurisë së Kosovës sot është nderuar me çmimin FIDES për kontribut kombëtar “Hasan Prishtina”.

Ky çmim është ndarë nga Albin Kurti, i cili u shpreh i nderuar që po e ndan këtë çmim për djemtë dhe vajzat që i qëndruan pranë Shqipërisë gjatë kohës së tërmetit, i cili la pas vetes shumë viktima.

“Ky çmim ndahet për personat që rrezikuan jetën e tyre, të cilët shpëtuan jetëra duke rrezikuar jetët e tyre gjatë kohës së tërmetit, i cili goditi Durrësin dhe Thumanën. Jo rastësisht ky çmim me emrin e Hasan Prishtinës i ndahet këtyre djemve të kërkim- shpëtimit sepse edhe Hasan Prishtina do të ndihej krenar për kontributin e tyre në Shqipëri”, tha Kurti.

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) sot ka organizuar ceremoninë e dhënies së Çmimeve FIDES 2019, për të nderuar kontributin filantropik të individëve, organizatave, dhe bizneseve në Kosovë dhe Diasporë.

Ky çmim ndahet për të njëmbëdhjetin vit me radhë që nga 2008.

Ky çmim ka katër kategori: Çmimi FIDES për kontribut kombëtar “Hasan Prishtina”, çmimi FIDES për kontribut korporativ në shoqëri, çmimi FIDES për kontribut në nivel individual dhe çmimi FIDES për kontribut nga Diaspora.