Foto: CNBC

Franca përgatitet për dalje nga izolimi

Franca është e gatshme të fillojë me lehtësimin e masave që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, tha kryeministri i vendit.

Sidoqoftë, në disa rajone, përfshirë zonën e Parisit, masat do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

Ky vend ka bërë një përparim të mjaftueshëm në ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe uljen e numrit të pacientëve në spitale, dhe gradualisht mund të kthehet në ‘status normal’, tha kryeministri, Eduoard Philippe.

Shkollat, kafenetë dhe shumica e dyqaneve në këtë vend janë mbyllur për gati dy muaj.

Kryeministri gjithashtu tha se nëse virusi përhapet përsëri, qeveria do të rivendosë masat e izolimit në shkallë vendi.

Gjatë javës tjetër, rreth një milion nxënës dhe 130,000 mësues do të kthehen në shkollat fillore, njoftoi ministria e Arsimit në Francë, raporton Reuters.

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner, tha se përkundër lehtësimit të masave të 11 majit, kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur dhe se vendimi do të mbetet në fuqi të paktën deri më 15 qershor.

Në Francë, 25.809 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri]. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 174.224 njerëz janë infektuar me koronavirus, ndërsa pak më shumë se 54,000 janë shëruar. /REL