Fotografitë e vjetra të Gjilanit shndërrohen në piktura

Fotografitë e vjetra të qytetit të Gjilanit janë kthyer në piktura ndërsa të njëjtat u prezantuan sot në një ekspozitë të Muzeut të Qytetit.

Komuna e Gjilanit me anë të njoftimi ka thënë se këto fotografi të cilat janë kthyer në piktura janë punuar nga nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati”.

Drejtori i kësaj shkolle, Roland Masurica, e ka falënderuar Komunën për mbështetjen e këtij projekti.

“Këto fotografi të cilat janë ekspozuar, fokus të veçantë kanë pasur që të na e sjellin një nostalgji, një retrospektivë dhe një evoluim të qendrës së qytetit në etapa të ndryshme dhe ato figura janë të paraqitura përmes brushës, ngjyrës dhe dhe lapsit”, ka thënë drejtori i shkollës Roland Masurica.

Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, tha se këto punime të nxënësve e pasyrojnë Gjilanin në retrospektivë.

“Është një aktivitet jashtëzakonisht me vlerë. Qëllimi i thirrjes publike të DKRS’së ka qenë mbështetja e të rinjve, sikurse këta sot. Ndihem shumë krenare me këto punime të realizuara nga nxënësit e qytetit tim”, tha Limani.

Ekspozita siç ka njoftuar Komuna, do të qëndrojë e hapur deri në mesin e janarit.