Foto: Screenshot nga livestream i panelit të ekspertëve i transmetuar nga European House në Kosovë

Fokus global në ndryshimet klimatike, në Kosovë diskutohet se ku qëndron Kosova me Marrëveshjen e Gjelbër

Marrëveshja e Gjelbër Europiane parasheh që deri në vitin 2050, Europa të jetë kontinenti i parë që bëhet neutral ndaj klimës. Se ku qëndron Kosova me këtë marrëveshje, në kuadër të ‘Javës së Diplomacisë Klimatike,’  Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka organizuar një panel me ekspertë të mjedisit. 

Planet për t’iu përafruar kësaj marrëveshje, implementimi i saj, fondet e ndara nga Bashkimi Evropian dhe strategjitë e Kosovës për të shënuar progres në zbatimin e saj ishin disa nga pikat kryesore që u diskutuan përgjatë këtij paneli.

Më 14 korrik, Komisioni Evropian miratoi një sërë propozimesh për t’i bërë politikat e BE -së për klimën, energjinë, transportin dhe taksat të përshtatshme për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë me të paktën 55 përqind deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e viteve të 90ta. Arritja e këtyre reduktimeve të emetimeve në dekadën e ardhshme është vendimtare që Evropa të bëhet kontinenti i parë neutral në botë ndaj klimës deri në vitin 2050 dhe të bëjë realitet Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.

Miran Vatovec nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se në mënyrë që Kosova të jetë sa më afër kësaj marrëveshje, BE, planfikikon ndihmën financiare dhe bartjen e njohurive, këmbim ekspertësh, ekspertizë, t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në përgatitjen e dokumenteve strategjike, akteve ligjore dhe konsultimin me shoqërinë civile.

“Jemi duke planifikuar ndihmën financiare IPA 2021-2022 që është përpiluar tashmë si dhe nëse shikojmë projektet tjera, është një projekt i madh në vitin 2022, centrali energjetik solar në zonën e KEK-ut, më shumë se 50 milionë euro, buxhet ky që vjen nga buxheti ynë”, tha Vatovec.

Përveç kësaj, Vatovec tha që do të rrisin edhe fondet e Efiçencës dhe Energjisë.

Duke marrë parasysh që ndryshimi i klimës dhe degradimi i mjedisit janë një kërcënim ekzistencial për Evropën dhe botën,  Marrëveshja e Gjelbër Evropiane tenton ta transformojë BE-në në një ekonomi moderne, efikase në burime dhe konkurruese.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha konsideron që Kosova është e gatshme që të jetë pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër, po duke e cilësuar si sfidues implementimin e saj.

Çavdarbasha mendon që për të qenë Kosova pjesë e kësaj marrëveshje, si fillim duhet të filloj dhe të adaptoj ligjet edhe strategjitë që i ka edhe me forcat e saj edhe me ndihmën e Bashkimit Evropian. 

Sipas saj, këto ligje duhet të bëhen në përputhshmëri me ligjet e Bashkimit Evropian. Pastaj duhet të krijohen plane konkrete me anë të të cilave do të implemetohet  secila strategji, secili ligj dhe në secilin projekt që parashihet në këto pika. 

Për t’iu përafruar, legjislacionit të BE-së, që e sheh si një nga pikat kryesore, zëvendësministrja thotë se Ministria e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke ndihmuar në plotësim-ndryshimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, vlerësimit strategjik mjedisor, ligjet specifike për mbrojtje nga ajri dhe ndotja, ligjin për mbrojtjen e natyrës, ligjin e mbeturinave, ligjin për kimikate dhe aktet e tjera nënligjore.

“Është miratuar strategjia për menaxhimin e mbeturinave të  integruara edhe një plan i aksionit për këtë aspekt, ku këtu përfshihet ekonomia qarkore si një nga pikat e zbatimit të Marrrëveshjes së Gjelbër”, tha ajo.

Ndërsa si përafërim me Marrëveshjen e Gjelbër, ajo e cilësoi faktin se janë duke punuar në rikthimin e depozitave.

 Qëllimi i projektit është reduktimi dhe riciklimi i shisheve të xhamit, plastikës dhe kanaçes.

“Qytetari do të paguaj një depozitë për këto shishe e në fund ai depozitë do të kthehet përsëri tek qytetari. Do bashkëpunojmë edhe në biznese tjera që këto mbeturinma do të riciklohen nuk do të deponohen në mjedis”, tha ajo.

Në anën tjetër, Rinora Gojani, menaxhere e programeve dhe operacioneve në ‘Ballkan Green Foundation’ , tha që strategjia e kaluar për energjinë ka qenë e fokusuar në qymyr, ndërsa marrëveshja e Gjelbër e thotë të kundërtën- energjinë me burime të ripërtrishme.

Por, ajo u ankua që Ministria nuk e ka ftuar shoqërinë civile në hartimin e strategjisë së re për energjinë e cila është në ridraftim.

Përfshirjen e shoqërisë civile në ridraftim e kërkoi edhe Miran Vatovec, duke e inkurajuar atë që të konsultohet me shoqërinë civile.

Në kuadër të kësaj jave, mbrëmë janë ndriçuar me ngjyrë të gjelbër objektet e Bashkimit Evropian në Kosovë: Shtëpia e Evropës në Prishtinë dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Nga 27 shtatori deri më 17 tetor 2021, delegacionet e BE -së dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE -së në të gjithë botën kanë filluar këtë organizim për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin mbi ndryshimet klimatike, për të shfaqur histori suksesi dhe për të frymëzuar veprime të mëtejshme.

Fokusi i Javëve të Diplomacisë Klimatike të këtij viti është ambicia dhe veprimi, tema qendrore për diplomacinë klimatike të BE -së më 2021.