Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fillon furnizimi me targa të automjeteve

Pas një mungese për më shumë se 3 muaj sot ka filluar furnizimi i qytetarëve me targa të automjeteve në të gjitha regjionet e Kosovës.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha ka thënë për KALLXO.com se të mërkurën ka arritur në Kosovë kontigjenti i parë me 19,800 targa, të cilat janë shpërndarë nëpër regjione dhe tashmë të gjithë qytetarët mund të lajmërohen për t’u pajisur me targa.

“Kërkoj falje prej qytetarëve se ka pas një ndërprerje për furnizim me targa. Ne sot kemi filluar furnizimin me targa për të gjithë qytetarët. Unë kërkoj një mirëkuptim prej qytetarëve sepse tash ndodh që do të kemi një fluks më të madh për shkak të rrethanave që janë krijuar por të gjithë qytetarët do të pajisen në një shumë të shpejtë”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka treguar se menjëherë është porositur edhe kontigjenti i dytë, i cili pritet të vijë në Kosovë brenda 15 deri 20 ditë.

Aktualisht në Kosovë sipas Hoxhës, 18 mijë qytetarë janë të pajisur me targa provuese dhe të cilët po presin të pajisen me targa RKS.

Shpërndarja e targave provuese ka filluar vitin e kaluar kur në fillim të muajit dhjetor të gjitha regjionet kanë mbetur pa targa.

Gjilani ka qenë regjioni i parë i cili ka filluar të ketë mungesë të targave qysh nga mesi i muajit nëntor dhe më pas kjo mungesë është vërejtur edhe te regjionet e tjera.

Kontrata për furnizim me targa është nënshkruar më 4 shkurt 2021. Konsorciumi që e ka fituar këtë tender është “G.S.G SH.P.K. & KIG d.d. & KIG KGA d.o.o”.

Kontrata kornizë ka një kohëzgjatje 3 vjeçare ndërsa sasia e targave të kontraktuara është 1 milionë e 447 mijë e 714.

Tenderi për furnizim me targa të automjeteve ishte shpallur qysh në muajin dhjetor të vitit 2018 dhe është zvarritur për shkak të ankesave të kompanive aplikuese në Organin Shqyrtues të Prokurimit.