Ilustrim

Ferizaj – Policia sekuestron armë në 6 ahengje të ndryshme

Disa persona kanë shkrepur me armë zjarri në ahengje të ndryshme familjare dhe të njëjtit kanë përdorur armë të paautorizuara.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj njofton se kanë marrë veprimet e duhura dhe që nga 26 korriku kanë arritur të zbulojnë 6 raste.

“Nga data 26.07-03.08.2021, në 6 raste të ndara: 2 në Ferizaj, 3 në Kaçanik dhe 1 rast në Shtime, policia ka arritur të zbulojë vendin dhe personat që kanë shkrepur me armë zjarri nëpër ahengje të ndryshme familjare”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas Policisë së Kosovës (PK-ës), ndaj personave të dyshuar u janë iniciuar rastet “Mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armës”.

Policia e Kosovës njofton se të dyshuarve u janë konfiskuar armët dhe municioni dhe se rastet janë duke u hetuar.

Sipas Policisë në Ferizaj është dëmtuar një automjet i një qytetari si pasojë e gjuajtjes me armë.

“Në dy raste tjera në Ferizaj, janë inicuar rastet ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ‘’, sepse, në një rast nga një predhë (plumb qorr) është dëmtuar një automjet i një qytetari, ku në xhamin e bagazhit ka shkaktuar një vrimë”, njofton Policia.

“Ndërsa në rastin tjetër, një predhë ka rënë në terrasën e shtëpisë së një qytetari. Rastet janë duke u hetuar nga policia.”, thuhet ndër të tjera.

Drejtoria Rajonale e Policisë së kësaj komune apelon që qytetarët gjatë ahengjeve të mos përdorin armë zjarri sepse mund të rrezikojnë jetën e njeriut.