Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ferizaj, për shkak të prishjes së një pajisjeje u shtyhet operimi disa pacientëve

Pajisja për sterilizimin e instrumenteve të operimeve në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt tash e disa ditë është jashtë funksionit.

Kjo ka bërë që gjatë këtyre ditëve të mos kryhen operime në këtë Spital.

Bardh Zeqiri, nga partia opozitare Lidhja Demokratike të Kosovës në Ferizaj, tha se qytetarët mbetën pa shërbime për shkak të një defekti të vogël.

“Si rezultat i prishjes së një pajisjeje operative e cila mundëson sterilizimin e pajisjeve të sallës operative, gjegjësisht Autoklavi, që tri ditë nuk funksionon ky dikaster. Si pasojë e saj, pacientët nuk po munden me i marrë shërbimet shëndetësore. Defekti ka ndodhur që tri ditë dhe si pasojë pacientët po duhet të gjejnë alternativa, duke shkuar në spitale të tjera, brenda dhe jashtë vendit apo edhe në ato private” – deklaroi Zeqiri.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Selajdin Sallahu, thotë se rasteve urgjente po u bëhet zgjidhje kurse atyre në listën e pritjes u është shtyrë operimi.

“Ka kohë që kemi defekte me Autoklav. Operatori ekonomik ka kohë që po merret me të. Kemi defekte të shpeshta. Që dy ditë po punohet, është servisuar e ka mbetur vetëm një gomë rreth derës dhe shpresojmë që pasdite të përfundojë. Kemi marrëveshje me Spitalin e Gjilanit që nëse sot nuk kryhet, prej nesër i dërgojmë për sterilizim atje instrumentet dhe materialet. Nuk po kryhen vetëm pacientët në listë të pritjes, ata me urgjencë i transferojmë në QKUK” – deklaroi Sallahu.

Sipas Sallahut, për shkak të prishjes së pajisjes asnjë pacient nuk është dashur ta ndërrojë spitalin.