Erdogan

Erdogani me sy kah Perëndimi, teksa i rritet kriza e brendshme financiare

Gazetare: Krenare Cubolli/REL

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka marrë një hap të madh këtë javë në drejtim të forcimit të lidhjeve me Perëndimin, teksa kërkon të zgjidhë krizën e gjatë dhe të rënduar ekonomike në shtëpi.

Erdogan i ka befasuar aleatët e NATO-s të hënën kur e ka pezulluar ndalesën ndaj Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake.

Disa orë para se të shkonte në Lituani, ai e ka kritikuar Stokholmin që nuk ka bërë mjaftueshëm për ta luftuar terrorizmin.

Ndryshimi i shpejtë në qëndrime tregon se Erdogan – që ka nisur së fundi një mandat të ri presidencial – është shumë i interesuar t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin, dhe të tërheqë investitorë të huaj, të cilët janë larguar viteve të fundit nga Turqia.

“Është qasje tipike e Erdoganit. Vjen papritur, një ndryshim aq i madh në qëndrime dhe tone”, ka thënë Batu Coskun, analist politik në Institutin Sadiq me bazë në Ankara.

“Secili politikan tjetër do të vuante nga një ndryshim i tillë. Por, ai vetëm përparon”.

Kjo, sepse, ai besohet se ka marrë garanci nga Suedia, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, se do të ketë përfitime nga një ndryshim i tillë qëndrimesh.

Turqia tani është në pritje të pranimit të aeroplanëve luftarakë amerikanë F-16.

Erdogan ka thënë, po ashtu, se BE-ja është treguar pozitive për rishikim të aplikimit të Ankarasë për anëtarësim në bllok, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Mirëpo qasja e tij duket se tregon që ai po tenton të jetë më afër SHBA-së dhe aleatëve evropianë, të cilët me vite kanë qenë të shqetësuar për nivelin e demokracisë në Turqi.

Në samitin e fundit të NATO-s, Erdogan është parë afër me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka mbajtur një takim bilateral me të.

“Mendoj se Erdogani i dalë pas zgjedhjeve ka më shumë vetëbesim sa u përket lidhjeve me Rusinë dhe Perëndimin”, ka thënë Batu Coskun.

Pavarësisht qasjes jashtë, brenda Turqisë kriza ekonomike sa shkon e përshkallëzohet.

Kjo ka qenë çështja kryesore që është trajtuar në zgjedhjet e mbajtura në maj të këtij viti në Turqi.

“Biznesi nuk është mirë”, la thënë Burhan Morkoc, furrtar i cili punon 17 orë në ditë duke pjekur bukë të ndryshme.

“Gjithçka është shumë e shtrenjtë… njerëzit dikur blinin dy, tani e blejnë një. Kërkesa ka rënë”.

Kjo sepse inflacioni në Turqi është nën 40 për qind.

Në tetor të vitit 2022, shkalla e inflacionit në këtë vend pati arritur në 85.5 për qind.

Vlera e valutës kombëtare lira ka rënë në nivele rekorde kundrejt dollarit amerikan këtë verë.

Ndonëse bankat qendrore në gjithë botën i kanë rritur normat e interesit për të luftuar rritjen e çmimeve, presidenti Erdogan ka vepruar ndryshe.

Ai beson se normat më të larta të interesit do të ndikojnë në rritje edhe më të madhe të çmimeve, prandaj ka kërkuar nga Banka Qendrore e Turqisë që t’i ulë normat.

Burhan Morkoc e ka në pronësi furrën bashkë me tre vëllezërit e tij në lagjen Kadikoy të Stambollit.

Ai është ankuar se qiraja në këtë zonë është rritur 400 për qind në vitin e fundit.

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se janë rritur çmimet e drunjve, 900 për qind, të miellit, 500 për qind, farave të susamit, 150 për qind.

Për të ndihmuar në këtë krizë, ministri turk i Financave, Mehmet Simsek, veteran i Wall Street në Shtetet e Bashkuara, e ka marrë pozitën muajin e kaluar me zotimet se do t’i ndryshojë politikat ekonomike.

Bashkë me guvernatoren e re të Bankës Qendrore, Hafize Gaye Erkan – po ashtu me përvojë financiare në SHBA – Simsek e ka mbikëqyrur rritjen e parë të normës së interesit në këtë shtet në 27 muajt e fundit, nga 8.5 për qind në 15 për qind.

Mirëpo furrtari nuk beson se politikanët e kuptojnë urgjencën e marrjes së veprimeve.

“Ejani këtu dhe punoni për 18 orë, 20 orë. Unë punoj me tri orë gjumë. Le ta bëjë këtë Mehmet Simek. Është e lehtë të jesh në karrige dhe të marrësh vendime. Nuk funksionon ashtu”, ka thënë ai.

Pas kthimit në shtëpi nga Lituania, fokusi i Erdoganit ka qenë në premtimet dhënë popullit turk për të ringjallur ekonominë.

“Ne do ta ulim inflacionin në nivel njëshifror sërish”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ekonomistët besojnë se ringjallja e ekonomisë turke do të marrë kohë.

“Nuk ekziston ndonjë ilaç magjik dhe i shpejtë. Duhet të bëhen prioritet problemet dhe të zgjidhen”, ka thënë Murat Gulkan, nga një kompani investimesh në Stamboll.

Por, nuk është vetëm Perëndimi ku Erdogan synon t’i mbushë hapësirat e krijuara.

Javën e ardhshme ai do ta vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne, edhe një herë tjetër po kthehemi kah Perëndimi. Rusia është mbrapa nesh”, ka thënë ekonomistja Iris Cibre.

Erdogan e ka zemëruar Rusinë në fundjavën e kaluar kur e ka lejuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që të kthehet në shtëpi me pesë komandantë ushtarakë, të cilët ishte thënë se duhet të qëndrojnë në Turqi deri në fund të luftës.

Kremlini madje e ka paralajmëruar Turqinë që të mos i shoh evropianët me syze rozë.

Mirëpo presidenti Erdogan planifikon ta ftojë presidentin rus, Vladimir Putin në Turqi, në muajin gusht.

Në atë takim ai shpreson se do ta bindë liderin rus që të zgjasë marrëveshjen për transportimin e drithërave të Ukrainës përmes Detit të Zi./REL