Foto: REL/Reuters

Ekstradohen 3 persona në Shqipëri nga ana e INTERPOL-it

Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se Interpol Tirana në bashkëpunim me shtetet e tjera kanë bërë kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar drejt Shqipërisë.

Si rezultat i bashkëpunimit tre persona janë kapur në Itali, Londër e Slloveni.

Sipas një njoftimi në Facebook, nga Zyra Qendrore Kombëtare – Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Italia drejt Shqipërisë  i shtetases shqiptare Dhurata Katreli, 43 vjeçe, banuese në Tiranë.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetase me 10 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi” , thuhet më tej.

Qytetari i dytë që u ekstradua nga Londra është shtetasi Afrim Bardhoshi, 45 vjeç, banues në Durrës.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, gjatë vitit 2013, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kalonte në mënyrë të paligjshme shtetas shqiptarë nga Shqipëria në Angli”, ka bërë të ditur Policia.

Ndërsa, ekstradimi nga Ljubjana/Slloveni është, shtetasi R. K., 58 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.  Në vitin 2014, në fshatin Mbrostar, Fier, në kompaninë ku ky shtetas ishte inxhinier ka shpërthyer një kaldajë termoenergjitike me lëndë djegëse dhe si pasojë janë plagosur dy shtetas. Shtetasi R. K. në cilësinë e inxhinierit termoenergjitik kolaudues, gjatë testimeve që ka kryer nuk ka zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe rregullat e sigurisë në punë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në fund është theksuar se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Ljubjana, Interpol Manchester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Romën u bë i mundur arrestimi i tyre, duke u finalizuar me ekstradimin drejt Shqipërisë.

 

 

 

11