Eksperti tregon si funksionon dhe si mund të dështojë sektori i energjisë

Njohësi i fushës së energjetikës, Adhurim Haxhimusa, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se për të funksionuar sektori i energjisë janë disa elemente që duhet të jenë në harmoni njëri me tjetrin.

“Prodhimi, distribucioni që hynë në prodhim dhe shpërndarja, kërkesa për energji elektrike, konsumatori, disa nga kufizimet teknike për shpërndarjen e energjisë elektrike nga prodhuesi deri te konsumatori dhe disa kufizime financiare”, janë elementet që i ka përmendur Haxhimusa.

“Nëse nuk ka harmoni në mes këtyre elementeve, tregu dështon”, ka shtuar njohësi i energjetikës.

Sipas tij, qytetarët duhet të dinë se çfarë metode ka përdorur Zyra e Rregullatorit të Energjisë për propozimin e dyfishimit të energjisë elektrike.

Ai, po ashtu, tha se Kosova është një nga vendet në Evropë ku bizneset paguajnë më shumë sesa ekonomitë familjare.

“Unë i mora, i shikova numrat në gjithë Evropën se qysh është raporti i çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorin fundor shtëpiak dhe për biznese. Është Kosova, Serbia dhe Moldavia që janë vendet e vetme ku biznesi paguan më shumë për energji elektrike sesa ekonomia familjare”, tha ai.

Me mendimin e Haxhimusës nuk është pajtuar eksperti financiar Florin Aliu.

Ai ka thënë se qytetarët nuk kanë ndonjë rrugëdalje, pasi ata janë përballë vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

“Ne po e kuptojmë Adhurimin që po thotë duhet me u bo një analizë e gjatë, por ne jemi përballë një vendimi, nuk kemi kohë për këtë analizë”, ka thënë Aliu.

Edhe organizatori i protestave, Dibran Hoxha, nuk ka pasur mendim të njëjtë me njohësin e energjetikës, i cili është edhe profesor në një universitet të Zvicrës, Adhurim Mustafën.

Ai madje ka thënë se është problem tjetër që kontrata e Kompanisë së distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë (KEDS) nuk është parë asnjëherë.

“KEDS-i obligohet me na furnizu 24/7, supozohet që është obligu me investu në 300 milionë në rrjetin energjetik të Kosovës e nuk e ka bërë asnjëherë, as Qeveria e Kosovës aktuale nuk ka guximin me e publiku këtë kontratë”, ka thënë ai.

ZRrE më 17 janar 2022 kishte propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kWh e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.