Edi Rama: Vuçiq nuk mund të bisedojë për Kosovën pa shqiptarët

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka folur për negociatat Kosovë – Serbi,  duke thënë se shqiptarët ka raste kur i kanë bërë gropën vetes sepse në ndonjë rast nuk negocjojnë me njëri tjetrin. Rama tha se presidenti i Serbisë Vuçiq, mund të mos negociojë me shqiptarët por me perëndimin “nuk mund të negociojë me perendimin për shqiptarët”.

“Kemi humbë raste historike dhe i kemi bërë gropën vetes në ndonjë rast sepse nuk negocjojmë me njëri tjetrin, Një president i Serbisë mund të shkojë në hënë nëse do dhe në fund do të ulet me ne, me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës, dhe natyrisht me ne në Tiranë që do të mbështesim deri në fund autoritetet udhëheqjen e Prishtinës”, tha Rama.

Rama tha se ka dy rrugë, rruga e barikadimit dhe tjetra rruga e përballimit.

“Barikadimi është në dëmin tonë jo të Serbisë e përballimi sy më sy dhe i drejtpërdrejtë me mjetet e paqes është sfida jonë fiton kush është më i mençur dhe kush arrin të tregojë forcën e mendjes. Nuk fiton kush e bën të fortin me Facebook dhe me deklarata përçarëse duke shfrytëzu emocione dhe konjuktura të brendshme për t’u dukur para popullit si patriot i madh që po shpëton atëdheun nga tradhtarët dhe agjentët”, tha Rama.

Sa i përket bashkëpunimit në të ardhmen se a do të punojë Shqipëria me Kosovën për ta paditur Serbinë për gjenocid, Rama tha se nuk mundet që një shtet të bëjë padi për shtetin tjetër.

“Jemi një komb një familje dhe jetojmë në dy shtete të ndryshme. Me sa unë di një shtet nuk mund të bëjë padi në emër të një shteti tjetër”, tha Rama.