Edi Rama në sheshin e Tiranës: Fitoi forca më e madhe demokratike - Partia Socialiste

Kryesocialisti shqiptar Edi Rama ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Fitoi forca më e madhe demokratike qytetare, politike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë – Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama në një paraqitje në sheshin “Skenderbej” të Tiranës.

Ai shtoi se PS-ja e ka thyer rekordin e saj.

“Ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh”, tha Rama.

Rama shtoi se nga zgjedhjet e 25 prillit fitoi Shqipëria.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në Shqipëri deri në orën 19:00, PS-ja fituar 48.64% të votave nga numërimi i 5,090 qendrave të votimit nga 5,199 gjithsej.

Kurse PD-ja ka marrë 39,46% të votave.