Ilustrim

Dyshohet se nuk ia pagoi shërbimin dhe e goditi me grusht në fytyrë taksistin, arrestohet 28-vjeçari në Mitrovicë të Veriut

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër.

Sipas Policisë, derisa viktima, i cili është shofer taksie, ishte duke kryer shërbimin si taksi, i dyshuari nuk i’a kishte paguar shërbimin. 

Më pas, sipas Policisë, i njëjti e kishte goditur me grusht në fytyrë dhe ishte larguar në drejtim të panjohur. 

Ndërsa viktima thuhet se pas kësaj ka pranuar tretman mjekësor. 

“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor Mitrovicës Veri, është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari, (N.M), 28 vjeç. Arrestimi është kryer mbi bazë të dyshimeve të arsyeshme dhe provave të siguruara që e lidhin të dyshuarin me rastin e raportuar”- thuhet në njoftimin e datës 22.02.2025.  

Rasti raportohet se ka ndodhur orët e para të datës 22.02.2025, saktësisht në ora 02:15.

Policia thotë se të gjitha veprimet e ndërmarra për këtë rast i janë paraqitur prokurorit të rastit derisa i dyshuari, pas intervistimit, thuhet se është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.