Policia e kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dyshohet se ka kryer krime lufte në vitin 1999 në Gjakovë, ndalohet për 48 orë një person

Një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës. 

Policia ka njoftuar se i dyshuari fillimisht është ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, më 25.02.2025.

“Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më 25.02.2025, në pikën kufitare të Jarinjës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.” – thuhet në njoftim, më 25.02.2025. 

Policia bën të ditur se D.R. dyshohet se në Komunën e Gjakovës, në periudhën kohore 7 deri më 10.05.1999, ka vepruar në grup të organizuar si zyrtar me njësi të përbëra nga MUP – serb. 

I dyshuari është shoqëruar në Policinë  e Kosovës dhe është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.  

Ndërsa, siç mësohet nga Policia pas njoftimit të Prokurorisë Speciale D.R. është ndaluar për 48 orë. 

D.R. dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.