Ilustrim

Dy të arrestuar për fajde në Ferizaj, dyshohet se për 20 mijë euro kërkuan t'iu kthehen 73 mijë

Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar dy burra të dyshuar për fajde.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit i kishin dhënë një qytetari 20 mijë euro dhe e kishin detyruar të nënshkruaj që t’ua kthejë 73 mijë euro.

“Dy të dyshuarit pasi i kishin dhënë shumën në vlerë prej 20 mijë euro, të njëjtin e kanë detyruar që të nënshkruaj në një fletore detyrimin ndaj tyre në shumën prej 73 mijë euro edhe pse deri më tani viktima/i dëmtuari, u kishte paguar shumën prej 60 mijë euro”- thuhet në njoftim.

Rastin në Polici e kishte paraqitur i dëmtuari, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe pas grumbullimit të provave të nevojshme me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Policia ka njoftuar se dy të dyshuarit me inicialet A.G dhe F.G., janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. ​