Dy raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës

Polica e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë në familje në dy raste të ndryshme që janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 09:00.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Drenas, Policia ka arrestuar dje një burrë nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila pas dhunës kishte konsumuar preparate kimike.

Viktima ka marrë tretman mjekësor dhe pastaj është intervistuar, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.