Drejtoria e Policisë së Beratit. Foto ilustruese: Eriola Azizolli

Dy qytetarë romë denoncojnë policinë për dhunë racore në Berat

Dy të rinj në Berat, Andrea Fusha, 20 Vjeç dhe Enea Aliu, 27 vjeç, denoncuan atë që e përshkruan si rrahje dhe ofendime raciste nga ana e disa policëve të Komisariatit të Beratit pasi u gjetën jashtë banesave të tyre pas orës së ndalim-qarkullimit ndërsa policia e Beratit mohon të ketë ushtruar dhunë ndërsa i ka shpallur dy të rinjtë të arrestuar për “kundërshtim me dhunë” të forcave të policisë.

Shoqata Drejtësi Sociale, një grup aktivistësh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut deklaruan të mërkurën se verifikimet e tyre kanë zbuluar se një nga të rinjtë ka shenja të dukshme dhune dhe për rrjedhojë kërkojnë hetime nga autoritetet përkatëse.

“Përmes komunikimit me të rinjtë dhe familjarët, na u bë me dije se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre dhe i ka ofenduar duke përdorur terma diskriminues ndaj përkatësisë së tyre etnike,” bënë të ditur organizatat në një njoftim për shtyp.

“Familjarët e tij shprehen se e kanë gjetur djalin pa ndjenja në rrugë, të shtrirë përtokë dhe të gjakosur dhe më pas kanë shkuar në spital për ta mjekuar bashkë me policët, të cilët nuk lejuan përfundimin e mjekimit, por e dërguan të riun në ambientet e paraburgimit, duke e lënë me rroba të lagura dhe në ato kushte shëndetësore të shkaktuara nga dhuna e ushtruar nga efektivët,” vijon më tej deklarata.

Sipas organizatës, të rinjtë janë gjetur jashtë por në afërsi të banesave të tyre dhe këmbëngulja e policëve për shoqërimin në komisariat duket një masë e pajustifikueshme.

Sjellja e policisë së shtetit ndaj qytetarëve është vënë nën vëmendjen publike pas disa incidenteve të pakëndshme të ndodhura vitin e kaluar, përfshirë rrahjen e një adoleshenti nga disa policë dhe vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një oficer policie. (reporter.al)