Berat, dyshohen për disa vjedhje, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar në Berat pasi dyshohen se kanë vjedhur disa herë këtë muaj dhe u është gjetur drogë që dyshohet se është kanabis.

Policia e Shteti njofton se strukturat operacionale të DVP Berat, si rezultat i veprimeve hetimore, të kryera me qëllim zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura më parë, kanë arrestuar shtetasit A. B., 40-vjeç dhe A. Gj. 32-vjeç, i cili është dënuar më parë për veprën penale – vjedhje.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa herë, gjatë këtij muaji, sende personale në një automjet, si dhe pajisje në dy banesa të ndryshme.

Sipas njoftimit, gjatë arrestimit, të dy shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan doza të dyshuara të lëndës narkotike kanabis.

Policia thotë se puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas po vazhdon.

Materialet procedurale sipas Policisë i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme.