Dy kosovarë arrestohen për vjedhje në Tropojë

Dy kosovarë janë arrestuar nën dyshimin se me dhunë i kanë vjedhur çantën një gruaje në Tropojë.

“Policia e Tropojës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit së shtetases S. B., banuese në fshatin Dojan, e cila ka kallëzuar gjatë rrugës për në banesë, dy persona i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, brenda së cilës kishte një sasi parash dhe një telefon, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve të dyshuar, shtetasit: V. M., 21 vjeç dhe R. R., 18 vjeçe, banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Tutje, në njoftim thuhet se gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në dhomën e një hoteli në qytetin e Tropojës, ku ishin akomoduar të arrestuarit janë gjetur dhe sekuestruan gjërat e vjedhura: 1 aparat celular dhe një sasi lekësh. Gjithashtu janë gjetur 9 fishekë pistolete, 4 telefona celular dhe maska anticovid që dyshohen se i kanë pasur me vete gjatë kryerjes së vjedhjes.