Rifat Kukaj. Foto: Facebook/Vlora Dumoshi

Dumoshi: Letërsia për fëmijë është më e varfër pa Rifat Kukajn

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e ka përkujtuar shkrimtarin Rifat Kukaj në 15 vjetorin e vdekjes.

Dumoshi ka thënë se letërsia për fëmijë pa Rifat Kukajn është më e varfër.

“Shpirti i Rifat Kukajt mbeti përherë fëminor. Letërsia për fëmijë është më e varfër pa Rifatin. E kujtojmë poetin, dramaturgun e skenaristin e letërsisë për fëmijë në 15 vjetorin e ikjes!”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.

Shkrimtari për fëmijë Rifat Kukaj ka vdekur më 11 shtator 2005, në Ulqin të Malit të Zi. Ai lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Komunës së Drenasit.

Kukaj konsiderohet ndër krijuesit më prodhimtar dhe afirmues të letërsisë shqipe për fëmijë. Ai shkroi dhjetëra romane, përmbledhje me poezi e drama për fëmijë e të rritur, tekste këngësh, radio-drama e skenarë filmash.