Dritan Rexhepi Foto: Reporter.al

Dritan Rexhepi, lideri shqiptar i kartelit të drogës arrestohet në Stamboll (VIDEO)

Dritan Rexhepi, lideri shqiptar i kartelit të drogës të njohur si “Kompania Bello”, i kërkuar ndërkombëtarisht, i arratisur disa herë nga burgje të ndryshme, është arrestuar dje në Stamboll.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya ka njoftuar se Rexhepi është arrestuar përmes “Operacionit Kartel” të zhvilluar nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Ministri ka publikuar edhe pamjet e arrestimit.

“U konstatua se tregtari i helmeve, i cili ndiqej ndërkombëtarisht nga Drejtoria jonë kundër Krimeve Narkotike dhe Drejtoria e Inteligjencës së Policisë së Stambollit, nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë, ka hyrë në vendin tonë nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia” – ka shkruar Yerlikaya në rrjetin social X.

Vendndodhja e Rexhepit, sipas ministrit turk është përcaktuar si rezultat i punës së përbashkët të Degës Kundër Krimeve Narkotike në Stamboll, Degës së Inteligjencës, Dega Kundër Kontrabandës së Emigrantëve, Degës së Portave Kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me policinë italiane.

Kush është Dritan Rexhepi?

Reporteli.al ka publikuar një hulumtim që tregon për të bëmat e Dritan Rexhepit dhe kartelin e drejtuar nga ai.

Sipas këtij shkrimi, Dritan Rexhepi, i cili përdor gjithashtu edhe emrin Gramoz ka një karrierë të gjatë kriminale në Shqipëri dhe Europë. Ai akuzohet se e filloi karrierën kriminale si vrasës me pagesë  dhe është dënuar më 25 vjet burg nga Gjykata për Krime të Rënda për vrasjen e dy personave në Krujë në vitin 1998– përfshirë një oficer policie. Rexhepi është dënuar gjithashtu për trafik kokaine në Itali dhe grabitje me dhunë në Belgjikë.

Përtej listës së gjatë të krimeve të rënda për të cilën akuzohet, Rexhepi ka krijuar një reputacion ‘legjendar’ në botën e nëndheshme të krimit për faktin se është arratisur më shumë herë nga burgu se Juaqim ‘El Chapo’ Guzman, kreu famëkeq i kartelit të drogës së Sinaloas në Meksikë.

Pasi është ndaluar nga policia në vitin 2006, ai u arratis nga paraburgimi i Komisariatit të Policisë së Durrësit, duke shfrytëzuar një moment pauze gjatë marrjes në pyetje nga prokurori –  kohë gjatë së cilës, dera e dhomës së shoqërimit ishte e hapur. Rexhepi raportohet të ketë dalë në korridor dhe t’i ketë thënë policit roje “mbarova punë”, duke u arratisur me duar në xhepa.

Pas arratisjes së parë Rexhepi u arrestua në vitin 2008 në Holandë dhe u ekstradua në Itali për të vuajtur dënimin për trafik kokaine. Në vitin 2011, ai arratis nga burgu i Voghera-s në Pavia së bashku me dy të burgosur të tjerë, duke përdorur një limë për të prerë hekurat dhe çarçafët e burgut si litar. Në të njëjtin vit, ai arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë, por edhe atje u arratis nga burgu në Antëerp.

Në qershor 2014, Rexhepi u arrestua përsëri në Quito të Ekuadorit si pjesë e një operacioni të policisë vendore, ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. Në Ekuador, ai është dënuar me 13 vite burg,

Sipas raportimit të Top Channel, që citon gazetën amerikane online “Infobae”, Rexhepi u lirua nga burgu më 21 nëntor 2021. Ai favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kishte kryer të paktën dy të pestat e dënimit. Gjithashtu, në datën 4 nëntor 2021, përmendet se kapoja shqiptare “ka një sjellje shumë të mirë’, përveç kësaj nuk regjistron tentativë arratisjeje dhe po ashtu ka edhe një raport pune.