Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Dosja e dhunimit të 11-vjeçares: Prokuroria konfirmon se e mitura ishte më herët viktimë

Vajza e cila pretendohet se është dhunuar nga 5 persona ishte në duart e institucioneve të shtetit në qershor të këtij viti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht ishte raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur.

Prokuroria thotë se më pas është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.

Sipas njoftimit, 11 vjeçarja më pas ishte gjetur dhe intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave si dhe më pas ishte dërguar në strehimore.

“Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet”- njofton Prokuroria.

Prokuroria thekson se të dyja çështjet penale ndodhen në procese hetimore dhe i takojnë Procedurës për të Mitur duke shtuar se “kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve”.

Më tej, Prokuroria thotë se si rezultat i zhvillimeve të hetimeve nga Prokurori i shtetit në koordinim me institucionet tjera, janë dërguar në mbajtje pesë personat e dyshuar në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatën kompetente, me ç ‘rast gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar pwr pretendimet se vajza e cila pretendohet se është dhunuar nga 5 persona ishte në duart e institucioneve të shtetit disa muaj më parë në një rast të ngjashëm ku ajo pretendohet se ishte viktimë e trafikimit.

Zyrtarisht, Prokuroria e Shtetit e Policia e Kosovës nuk kanë sqaruar nëse bëhet fjalë për dosje të abuzimit seksual apo për trafikim me qëllime të tjera mirëpo burime zyrtare kanë konfirmuar se vajza ishte trajtuar nga mbrojtësi i viktimave dhe kishte edhe mbikëqyrës nga Qendra për Punë Sociale në  Prishtinë.

Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Prokurorinë e Shtetit, Demë Hasanaj, ka konfirmuar për KALLXO.com se ka një dosje ku vajza është e identifikuar si viktimë e trafikimit.

“Para 3-4 muajve më duket, nuk i kam informacionet e thukëta mirëpo po, në zyrë te unë është e identifikuar si viktimë” – ka thënë Hasanaj.

11-vjeçarja sipas kësaj logjike ishte nën mbikëqyrjen e organeve shtetërore në kohën kur kishte ndodhur ngjarja ku ajo dyshohet se u dhunua seksualisht nga pesë persona.

Burime të ndryshme kanë sqaruar se për këtë ngjarje ka një urdhër nga hetuesia që të mos flitet me qëllim që skandali i dështimit të mbrojtjes së viktimës të mbahet larg syve të publikut.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, ka lënë të nënkuptohet se vajza kishte dosje të mëhershme si viktimë.  E njëjta ka thënë se rasti i 11-vjeçares ku dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit me qenie njerëzore është trajtuar dhe nuk është neglizhuar.

“Ka shku komfor protokollit, e kuptojmë sensivitetin e ngjarjes. Komfor përgjegjësisë së tyre, punëtorët socialë e kanë trajtu rastin, janë marrë me rehabilitimin e viktimës për aq sa ka pas hapësirë dhe kohë. Dhe ne ende jemi në trajtim të rastit. Nuk është neglizhu rasti, nuk është shpërfillë situata, është trajtu qysh në fillim, kur ka ndodh gjithçka” – ka thënë Sahiti.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek 11-vjeçare dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr 11-vjeçares rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.