Deri më tani 25 punëtorë të Postës të Kosovës të prekur me COVID-19

Virusi COVID-19 ka filluar të prekë një numër më të madh qytetarësh në vend që kur u lehtësuan masat nga Qeveria e Kosovës.

Në mesin e 1615 personave sa janë të prekur në përgjithësi në vend, 25 prej tyre janë punëtorë të  administratës në Postën e Kosovës.

Numrin e të infektuarve në këtë institucion e ka bërë të ditur zëdhënësi për marrëdhënie me publikun në Postë , Arsim Mehmeti.

“Janë 25 (të infektuar ). Janë punëtorë  të administratës, jo nëpër zyra postare por punëtorë të administratës të drejtorisë së përgjithshme”, konfirmoi për KALLXO.com Mehmeti

Ai tha se të gjithë personat që tashmë kanë dalë pozitiv me coronavirus janë në vetizolim dhe se gjendja e tyre është e mirë.

“Po, të gjithë janë në vetizolim. Gjendja e tyre është shumë e mirë, jemi në kontakt çdo ditë gjendja është shumë e mirë, po thonë që nuk kanë asnjë simptomë po vetëm se e dinë që janë pozitiv”, shtoi zëdhënësi.

Në fillim ka qenë vetëm një punëtorë i infektuar por pas kontaktit me pjesën tjetër të stafit ka infektuar edhe ata, tha tutje Mehmeti

“Ka qenë vetëm një i infektuar, e madje përmes kontakteve të tij i kemi zbuluar edhe të tjerët. Të gjithëve u kemi bërë teste”, potencoi ai.

Edhe pse kanë mungesë të 25 punëtorëve, zëdhënësi tha se po arrijnë të menaxhojnë punën mirë.

“Tash puna po shkon shumë mirë, është një staf esencial duke e kryer punën e tyre nuk ka kurrfarë pengese për me i kry punët e përditshme”, shtoi tutje ai.

Ndërsa sa i përketë punëtorëve nga zyrat postare, Mehmeti tha se nuk kanë pasur kontakt me personelin e administratës dhe nuk kanë qenë të rrezikuar.

Në një komunikatë të lëshuar dje nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik bëhet e ditur se nga COVID-19 janë prekur edhe disa organizata publik e private.

Gjithashtu, kujtojmë që dje Ministri i Shëndetësisë së bashku me Drejtorin e IKShPK, Naser Ramadani kanë shpalosur manualin me udhëzime dhe rekomandime në mënyrë që të bëhet kujdes i shtuar ndaj rrezikut të infeksionit.

Deri më tani në Kosovë nga ky virus janë të infektuar 1615 persona, prej tyre 963 janë shëruar dhe 34 kanë vdekur.