Dërgesa e parë e grurit të Ukrainës do të dërgohet në Liban

Ngarkesa e parë e grurit të eksportuar nga Ukraina u inspektua nga zyrtarët rusë dhe ukrainas në Turqi të mërkurën, si pjesë e një marrëveshjeje midis Kievit dhe Moskës për ta frenuar krizën globale të ushqimit.

Razoni, i cili është i ngarkuar me 26,000 tonë misër, u ankorua në bregun verior të Stambollit në Detin e Zi të martën, pasi u largua nga porti ukrainas i Odesas një ditë më parë.

Kjo është ngarkesa e parë e grurit që largohet nga Ukraina që nga fillimi i luftës në shkurt dhe tani është në rrugë për në Liban.

Disa drithëra janë larguar tashmë nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit, por asnjë nga zonat e pushtuara nga rusët, si ato në Detin Azov.

“Qëllimi ynë tani është rregullsia. [Ky] është një parim i domosdoshëm për konsumatorët e prodhimit tonë bujqësor”, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të martën në mbrëmje, duke e kritikuar Rusinë për “shkaktimin e krizës ushqimore duke i përdorur drithërat, misrin  dhe naftë si armë”.

Të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përshëndeti “ngrohtësisht” largimin e Razonit, duke shprehur shpresën se rifillimi i eksporteve ukrainase do ta “sillte stabilitetin dhe sigurinë shumë të nevojshme” në furnizimet botërore të ushqimit.

Rusia ka mohuar më parë se po e përdor ushqimin si armë politike dhe në vend të kësaj i ka fajësuar sanksionet për rritjen e çmimeve globale.

“Le të shpresojmë që marrëveshjet do të zbatohen nga të gjitha palët dhe se mekanizmat do të funksionojnë në mënyrë efektive”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./Euronews