Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com
Deputetja e partisë së Emilija Rexhepit dorëhiqet nga grupi parlamentar 6+
Deputetja Zikrete Aliti nga Partia e Re Demokratike (NDS), ka dhënë dorëheqje nga Grupi Parlamentar 6+ përmes një letre që e ka dorëzuar në zyrën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, shefi i grupit parlamentar 6+, Albert Kinolli.
Sipas tij, ata nuk janë njoftuar zyrtarisht nga deputetja, por lajmin e kanë marrë në Kryesinë e Kuvendit.
“Zyrtarisht jemi informuar para 1 ore. Ajo nuk na ka njoftuar as nuk është konsultuar me neve. Neve na ka njoftuar kryetarja e Kuvendit. Ne jemi njoftuar përmes shkresës që ajo e ka dërguar tek kryetarja e Kuvendit përmes sekretarisë”, tha Kinolli.
“Në letër ajo ka deklaruar se do të zhvillojë veprimtarinë e saj si deputete e pavarur”, shtoi ai.
Kinolli thotë se nuk i di arsyet se pse deputetja Zikrete Aliti është dorëhequr nga grupi parlamentar që ai e drejton.
“Unë nuk i di arsyet. Kam provuar ta thërras 2-3 herë sot por ende s’komunikova me të. Është njëfarë rregulli që duhet me u njoftu shefi I grupit, se për çfarë arsye ka dhënë dorëheqje”, tha tutje Kinolli.
Aliti është deputete nga partia e ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë Kurti, Emilija Rexhepi.
Në anën tjetër nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet për qeverinë e re.