Deputetët Arbër Rexhaj e Erxhan Galushi gjatë takimit të Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Parlamenteve të Europës Juglindore, të mbajtur në Bosnje dhe Hercegovinë - Foto: Arbër Rexhaj / facebook

Delegacioni serb u largua nga takimi në Sarajevë pasi u përmend anëtarësimi i Kosovës në KiE

Gjatë ditës së parë të takimit vjetor të përfaqësuesve të komisioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të parlamenteve të Evropës Juglindore, në Sarajevë, delegacioni i Serbisë dhe nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë i Asamblesë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, Radovan Kovaçeviq, kanë ndërprerë fjalimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe janë larguar nga konferenca.

Kjo u bë e ditur nga anëtari i delegacionit të Kosovës, Arbër Rexhaj, përmes llogarisë së tij në Facebook, më 12 qershor.

Rexhaj shkroi se delegacioni i Kosovës u përball me “rrugaqërinë serbe”.

“Në fjalët tona, sërish Serbia u mundua që përmes grushteve në tavolinë, mbylljes së mikrofonave tanë, si rrugaqë të vërtetë t’i ndalonin fjalimet tona. Por megjithatë, nuk mundën dhe nuk do të mundin asnjëherë”, tha Rexhaj duke bërë të ditur se pjesëmarrës aty ishte bashkë me deputetin tjetër të Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi.

Ai falënderoi deputetët e Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilët siç tha ai “u përballen me ta, duke u rreshtuar qartazi në krahun tonë”.

“Ua tham troç se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Poashtu, sulmi në Banjskë të Kosovës dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo si e Millosheviçit”, shkroi Rexhaj.

Agjencia e lajmeve e entitetit Republika Sërpska, SRNA raportoi se delegacioni serb me Kovaçeviqin – anëtar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) të Milorad Dodi – u largua nga konferenca për shkak se “një anëtare e delegacionit kroat, Zdravka Bushiq, tha se Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës”.

Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Serbia dhe liderët e entitetit Republika Sërpska nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Takimi është një mbledhje e rregullt vjetore dyditore e përfaqësuesve të komisioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të parlamenteve të Evropës Juglindore, e organizuar nga Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë i Asamblesë Parlamentare të BeH, Qendrës Rajonale për Bashkëpunim të Sigurisë dhe Misionit të OSBE-së në BeH, me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Kontrollin e Forcave të Armatosura./REL.