Deçanasit duan ujësjellës të vetin

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në mbledhjen urgjente të Kuvendit komunal të mbajtur sot, ku u debatua për gjendjen emergjente pas helmimit të qytetarëve me ujin e pijes, dha propozim për themelimin e një ndërmarrje komunale e cila do të merrej me menaxhimin e ujit në këtë komunë.

“Në ketë seancë kryetari Ramosaj dha një propozim-vendim, për inicim të procedurës për themelimin e Ndërmarrjes Publike Komunale ‘’Ujësjellsi’’ Sh.A, për menaxhimin e ujit të pijes në komunën e Deçanit”, njofton Komuna e Deçanit.

Këtë propozim vendim, Ramosaj tha ta ketë bërë si pasojë e keqmenaxhimt të ndërmarrjes regjionale K.R.U “Hidrodrini” dhe pasojave që u shkaktuan me helmimin e qytetarëve nga uji i pijes.

Ramosaj tha se deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësore 1,738 pacient, porse gjendja tashmë është stabilizuar.

“Dhe jemi të gatshëm të dalim nga situata emergjente e t’i kthehemi normalitetit dhe aktiviteteve të parapara, duke zbatuar rekomandimet e IKShPK-së”, citohet në njoftimin e Komunës së Deçanit të ketë thënë Ramosaj.

Para disa ditësh Komuna e Deçanit, ka njoftuar se në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13. 07. 2021, në laboratorët e IKShPK-së në Prishtinë, janë identifikuar disa baktere jo patogjene.