Daka rekomandon që PZAP të miratojë pjesërisht ankesën e VV-së, kjo e fundit e konsideron arbitrare këtë

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka në një përgjigje dhënë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka kërkuar që ankesa e LVV-së të aprovohet pjesërisht.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com, Daka i ka kërkuar PZAP-së që të certifikohen vetëm kandidatët që i përmbushin kushtet ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Nëse PZAP e merr parasysh propozimin e Dakës, të pa certifikuar do mbesin pesë kandidatë të LVV-së, duke përfshirë edhe kryetarin, Albin Kurti.

“Ne propozojmë që ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje të aprovohet pjesërisht dhe të obligohet KQZ-ja të certifikojë kandidatët të cilët i përmbushin kushtet ligjore nga neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa të refuzohet sa i përket pesë kandidatëve të cilët nuk i përmbushin kushtet ligjore të këtij neni”, thuhet ndër të tjera në letrën që Daka ia ka dërguar PZAP-së më 24 janar.

Mirëpo, këtë letër në PZAP e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com Rama dhe Kurteshit, i kanë si arbitrare dhe të kundërligjshme rekomandimin e Dakës.

“Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme, pa rekomandimin e ZRPPC dhe pa vendimin e KQZ, ka hartuar së pari arsyetimet në vendimet e KQZ-së për mos certifikimin e subjekteve politike dhe të listave të tyre për kandidim”, kanë thënë ata në letrën e dërguar sot në PZAP.

 

Të premten KQZ-ja pas një debati të gjatë mes anëtarëve dhe zyrës për certifikimin e subjekteve, KQZ-ja ka certifikuar listën e PDK-së, LDK-së atë të Partisë Balliste, Lista SDU, Partia Demokratike e Ashkalinjëve, Lëvizja për Bashkëveprim dhe Lista IRDK.

Ndërsa nuk ka certifikuar listën e AAK-së, LVV-së dhe Nisma-s.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot pritet të vendosë për 9 ankesat e partive politike dhe kandidatëve për mos certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).  Ankesat janë dorëzuar më 23 janar dhe sot përfundon afati ligjor i PZAP-së për shqyrtimin e këtyre ankesave.

PZAP sot vendos për 9 ankesat e partive politike